Sëmundjet e gjirit - Vetëkontrollimi i gjinjve

Kapitulli VII: Vetëkontrollimi i gjinjve

 

7.1. Hyrje

Më së paku që mund të bëjë një grua për vetveten është që vetë t’i kontrollojë gjinjtë e saj një herë në muaj. Vetëkontrollimi i gjinjve është metoda e parë dhe më e përhapur për zbulimin e hershëm të ndryshimeve në gji. Për shkak të mënyrës së thjeshtë të realizimit, paraqet metodën themelore në vargun e ekzaminimeve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Kanceri i gjirit është i pranishëm 2 deri në 8 vjet para se të hetohet ose të diagnostikohet. Për këtë shkak, sa më herët të fillojë të bëhet vetëkontrollimi i gjinjve aq më herët mund të zbulohen ndryshimet që mund të ndihmojnë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Vetëkontrollimi i gjinjve duhet të fillojë të praktikohet që në moshën 20-vjeçare, por jo më vonë se mosha 25-vjeçare. Qëllimi i vetëkontrollit të gjinjve është që gruaja të mësojë ndërtimin normal të gjinjve të saj. Duke e njohur formën, madhësinë dhe ndërtimin normal të gjinjve, ajo do t’i he-tojë më lehtë në të ardhmen ndryshimet eventuale dhe do të mund t’i ndërmarrë me kohë veprimet e nevojshme të mëtutjeshme.

Vetëkontrollimi i gjinjve duhet të kryhet një herë në muaj, përafërsisht çdo muaj në të njëjtën kohë. Është më së miri të bëhet në mëngjes ose në mbrëmje. Gratë me cikël të rre­gullt menstrual duhet ta bëjnë vetëkontrollimin e gjinjve nga dita e 5-të deri ditën e 10-të të ciklit menstrual. Megjithatë, këshillohet që të bëhet rutinë vetëkontrollimi i gjinjve në ditën e fundit të ciklit menstrual. Kjo periudhë është e përshtatshme edhe për ekzaminimin mamografik, si edhe për ekzaminim ultrasonografik.

Kujdes, dita e parë e menstruacioneve është dita kur fillojnë gjakderdhjet menstruale. Kjo periudhë e ciklit menstrual është momenti kur gjinjtë janë më pak të ndjeshëm. Gratë me cikël të parregullt menstrual dhe ato në periu­dhën e postmenopauzës mund të zgjedhin vetë cilëndo ditë në muaj për ta bërë vetëkontrollimin e gjinjve, por duhet të respektohet gjithmonë data e njëjtë. Kohëzgjatja normale e vetëkontrollimit të gjinjve duhet të sillet nga 15 - 30 minuta.

Vetëkontrollimi i gjinjve kryhet në dy pjesë. Pjesa e parë është vështrimi i gjinjve dhe pjesa e dytë është prekja ose palpimi i gjinjve. Vetëkontrollimi i gjinjve mund të bëhet para pasqyrës, në pozitë të shtrirë në një sipërfaqe të fortë dhe nën dush gjatë larjes.

7.2.     Vetëkontrollimi i gjinjve me anë të vështrimit - qëndrimi para pasqyrës

Gjatë pjesës së parë të vetëkontrollimit të gjinjve gruaja duhet të qëndrojë fillimisht para pasqyrës.

  • Në fillim i vështron gjinjtë duke i vendosur duart në bel. Gjatë vështrimit duhet të përqëndrohet në madhësinë, formën, reliefin e gjinjve. Të dy gjinjtë duhet të jenë simetrikë, ndërsa thimthat në nivel të njëjtë. Duhet vështruar se a ka ndonjë gungë ose ndonjë gropëz. Vazhdon dhe e vështron pamjen dhe ngjyrën e lëkurës së gjinjve, pamjen dhe ngjyrën e thimthave, futjen brenda të thimthave dhe rrjedhjet eventuale nga thimthi.
  • Vazhdon vështrimin e gjinjve me duar të lëshuara poshtë për trupi, duke analizuar dhe vështruar detajet e njëjta si në rastin me duar në bel.
  • Në fund, ngriten duart dhe vendosen pas kokës, dhe vazhdohet vështrimi dhe analiza e detajeve të njëjta, të përshkruara si në rastet me duar në bel dhe me duar të lëshuara për trupi.


Nëse gjatë vështrimit të gjinjve hetohen çfarëdo ndryshimesh, duhet që asaj pjese ose atij ndryshimi t’i përkushtohet vëmendje e posaçme gjatë pjesës së dytë të vetëkontrollimit që përfshin prekjen.

 

7.3. Vetëkontrollimi me anë të prekjes

Kjo mënyrë e vetëkontrollimit të gjinjve kryhet në dy mënyra: në pozitë të shtrirë në një sipërfaqe të rrafshët e të fortë dhe nën dush gjatë larjes. Gjatë vetëkontrollimit duhet të përdoren dy ose më shumë gishta, e jo vetëm një gisht. Pjesa më e ndjeshme e gishtërinjve, e cila i heton më së miri ndryshimet në prekje janë mollëzat e gishtërinjve.

Duhet pasur kujdes që të mos shtypet fort gjiri me maje të gishtërinjve ose mos të gërvishtet me thonj, sepse këto janë gabimet më të shpeshta që bëhen gjatë vetëkontrollimit. Është me rëndësi që gruaja të mësohet të prekë dy lloje ndryshimesh ose dy ndjesi.

Ndjesia e parë që prek janë prekjet e sipërfaqeve të lëmuara dhe të rrëshqitshme. Në këto raste preken struktura normale dhe u përgji­gjen gjëndrave të qumështit dhe kanaleve të tyre, eventualisht ndry­shi­meve cistike beninje. Për ta kuptuar këtë ndjenjë të prekjes, me mollëz të gishtit tregues bëni shtypje dhe lëvizni gishtin mbi syrin e mbyllur. Gjatë lëvizjeve hetohet ndjenjë e prekjes me rrëshqitje - rrëshqet kapaku i syrit mbi bebëzën e syrit.

Ndjesia e dytë e prekjes gjatë vetëkontrollimit të gjinjve është prekja e sipërfaqeve të forta dhe jo të rrëshqitshme. Për ta kuptuar këtë ndjenjë të prekjes, preket maja e hundës, dhe pastaj pro­vohet që lëkura e hundës të lëvizet pa e lëvizur majën e hundës ose pre­ken kulmet e nyjave të gishtërinjve të dorës. Kjo nuk mund të arrihet, sepse lëkura ësh­të e fiksuar për majën e hundës i përcjell edhe lëvizjet e majës së hun­dës, gjegjësisht lë­kura mbi kulmet e nyjave të gishtërinjve të dorës, nuk rrëshqet mbi këto nyja.

 

Çdo herë kur bëhet vetëkontrollimi i gjinjve duhet të shënohet data në kalendar. Në rast se hetohet ndonjë ndryshim gjatë vetëkontrollimit të gjinjve, duhet kërkuar ndihmën e mjekut për ta sqaruar ndryshimin.

7.4. Vetëkontrollimi i gjirit në pozitë të shtrirë

Veprimi i parë: Gruaja duhet të zhvishet fillimisht nga beli e lartë dhe të shtrihet në shpinë. Vendos një jastëk ose një peshqir të palosur disa herë nën shpatullën e majtë. Vendosja e jastëkut ose e peshqirit të palosur disa herë nën shpatull, ndihmon që indi i gjirit të jetë i tërhequr njëlloj në tërë gjirin, gjë e cila mundëson kontrollin më të lehtë dhe më të mirë të gjirit. Shuplaka e majtë ngrihet dhe vendoset pas kokës. Me mollëza të tre gishtërinjve të shtrirë të dorës së djathtë (gishtit tregues, gishtit të mesëm dhe gishtit të unazës) kontrollohet së pari gjysma e gjirit të majtë. Në fillim 1/4 e brendshme e sipërme e pastaj 1/4 brendshme e poshtme, duke kërkuar ndryshime në formë të çfarëdo nyje  apo ngurtësimi eventual në gjirin e majtë.

 

Veprimi i dytë: Në vazhdim gruaja e lëshon dorën e majtë përreth trupit dhe e vazhdon kontrollimin e gjysmës së jashtme të gjirit. Në fillim 1/4 e sipërme të jashtme e pastaj 1/4 e poshtme të pjesës së jashtme.

 

Gjatë vetëkontrollimit të gjinjve me anë të prekjes, duhet zbatuar prekja me intensitet prej tri nivelesh. Prekja me intensitet të lehtë nevojitet për të prekur ndryshimet sipërfaqësore, prekja me intensitet të mesëm - për të analizuar ndryshimet në indet e mesit të gjirit dhe prekja me shtypje me intensitet të fortë - për të analizuar indet e thella të gjirit afër brinjëve. Është e rëndësishme që gjatë vetëkontrollimit gruaja të shtypë mjaft fort, me një ndjesi të madhe për ta  njohur edhe strukturën e gjirit të saj. Është normale që gruaja të ndjejë një vijë të fortë në gjysmërrethin e poshtëm tek secili gji. Me mollëzat e gishtave të përmendur, duhet të kryeni lëvizje që janë treguar në skemat vijuese. Mund të zgjedhin lëvizje rrethore, poshtë-lartë,  apo lëvizje kah dhe nga thimthi.

 

Orientimi i vetëkontrollimit të gjirit duhet të ketë një rregull të caktuar. Orientimi në drejtim të rrotullimit të akrepave të orës ose në formë të kuadrateve. Vetëkontrollimin mun­do­hemi ta lehtësojmë duke e ndarë gjirin në ¼ ose kuadrate, siç janë: kuadrati i sipërm medial, i sipërm lateral, i poshtëm medial dhe i poshtëm lateral. Është  me rëndësi që kuadratet të paramendohen si sirtarë të një vitrine. Do të mund rregullohet shumë më mirë një vitrinë nëse ajo nis të rregullohet sirtar për sirtar, sesa kur bëhen të gjithë përnjëherë.

Veprimi i tretë: në fund gruaja kontrollon edhe regjionin e nënsqetullës dhe rrjedhjet eventuale nga thimthat. Pasi e kryen kontrollimin e gjirit të majtë, veprimet e njëjta i bën në gjirin e djathtë.

Të gjitha ndryshimet që gruaja i has gjatë vetëkontrollimit duhet të jenë si një vërejtje që ajo t’i kërkojë këshillat dhe ndihmën e mjekut.
Pasi të ketë përfunduar vetëkontrollimi i gjirit të majtë, fi­llo­het në atë mënyrë sipas renditjes së njëjtë edhe vetëkontrollimi i gjirit të djathtë.

 

7.5. Vetëkontrollimi i gjinjve nën dush

Meqenëse disa ndryshime hetohen më lehtë kur lëkura është e lagur dhe e lyer me sapun, rekomandohet vetëkontrollimi nën dush gjatë larjes. Kryhet në mënyrë të njëjtë si gjatë vetëkontrollimit në pozitë të shtrirë dhe sipas radhës së njëjtë. Gjatë vetëkontrollimit të gjinjve nën dush është më së miri që dora me të cilën bëhet vetëkontrollimi të jetë me sapun, sepse rrëshqet më lehtë dhe në këtë mënyrë preken ose hetohen më mirë ndryshimet eventuale.

 

 

 

 

Dr.sc. Selami Sylejmani

"SËMUNDJET E GJIRIT"

Boton:
Shtëpia Botuese “ORBIS” Prizren

Biblioteka:
“Mjekësia për të gjithë”

Për botuesin:
Tahir Hoxha

Redaktor shkencor:
Prof. dr. Gjergj Minga

Recensues:
Prof. dr. Ilir Gjylbegu
Prof. dr. Orion Gliozheni
Prof. dr. Rubena Moisiu


Lektor:
Prof. dr. Sadri Fetiu

Korrektor:
Musa Bushrani

Redaktor teknik:
Tahir Hoxha

Ballina dhe ilustrimet e kapitullit VII:
Arbnor Morina

Shtypi:
Ndërmarrja Grafike SIPRINT Prizren

Botimi është ndihmuar nga:
Kompania “ROCHE”, përfaqësia për Kosovë

ISBN: 978-9951-566-00-1
Formati: 13x20 cm
Faqe: 256
Teknika: Kolor i plotë
Çmimi në libraritë e Kosovës: 12

Bashkë me librin shpërndahet një DVD falas me 2 orë program shkencor dhe intervista të autorit.

 

Për momentin, librin mund ta gjeni te këto lokacione:

PRISHTINË

  • Libraria Universitare ARTINI, te Instituti Albanologjik

PRIZREN

  • NSH ORBIS, Saraçëve 49c, Lagja e Çoragës, pranë xhamisë
  • Libraria HEADWAY, pranë Hamamit, mbrapa PTK-së
  • Libraria SIPRINT, te Qafa e Kishës, Shatërvan
  • Libraria PENA, afër Gjimnazit, Terzimahallë
  • Libraria TUBA, Hipermarketi ABI Center
  • Libraria, Hipermarketi VIVA
  • Libraria ADOGRAF, përballë Kuvendit Komunal të ri
  • Libraria BAF, Qendra e Artizanateve, Bazhdarhane

Për të porositur, na kontaktoni në numrat:

+377 44 78 12 03
+386 49 20 56 77

ose na shkruani nga faqja e kontaktit duke klikuar këtu.

 


Përveç KosPay, së shpejti do të ofrohet mundësia e pagesës me karta krediti nëpërmes shërbimeve 2Checkout dhe PayPal.



Free template 'Colorfall' by [ Anch ] Gorsk.net Studio. Please, don't remove this hidden copyleft!