Sëmundjet e gjirit - Fjala e redaktorit shkencor

Fjala e redaktorit shkencor

Prof.dr. Gjergji Minga.  zv. rektor në Universitetin Amerikan në Tiranë

 

Prof.dr. Gjergj MingaMe sa e njoh unë dr. Selamiun - autorin e librit “Sëmundjet e gjirit”, ish studentin tim të zellshëm e të mirë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës të viteve 70-ta, dhe më tej kolegun kërkues e studiues e të përkushtuar në punën e vet, ai ka një veçori thelbësore, të karakterit të tij – si intelektual – profesionist, në një nga fushat më të ndjeshme të mjekësisë së sotme – atë të obstetrikë-gjinekologjisë, por edhe si njeri:
Ai e përjeton shpirtërisht çdo “takim profesional” me pacientet e veta (dhe familjarët që i shoqërojnë). Përpiqet të hyjë në thelbin e problemeve shëndetësore të çdo pacienteje. Kërkon nëpërmjet të ekzaminimeve të gjithfarëllojshme, informacion shtojcë të domosdoshëm për të arritur në përfundime sa më logjike për një diagnozë sa më të plotë, për një mjekim të përshtatshëm e të frytshëm dhe për ndjekjen shkencore te të sëmurit (sëmurës) gjatë ecurisë së sëmundjes. Por dr. Selamiu, veç kësaj veçorie të rëndësishme e domethënëse hipokratike si mjek - specialist ka edhe veçorinë që bie  në sy gati menjëherë, veçorinë si njeri - shprehje të karakterit njerëzor/humanitar. Ai gjatë punës së tij si specialist, njëkohësisht shndërrohet në një njeri të afërt për të sëmurat e veta nëpërmjet shpjegimeve sa realiste aq edhe optimiste, nxitëse të shpresave dhe të guximit tek pacientet edhe në rastet e vështira, me synimin për t’i shndërruar ato, të sëmurat në bashkëluftëtare kundër sëmundjes.

 

Këto gjëra m’i rikujtoi libri “Sëmundjet e gjirit” që në faqet e para të tij, qysh në parathënien, me të cilën ai e fillon librin e vet. Aty, dr. Selamiu rivërteton në mënyrën më të thjeshtë, më njerëzore, e njëkohësisht më profesionale, se problemi i kancerit të gjirit është, dashur e pa dashur, i pranishëm në jetën e të gjithëve. Gjithsecili nga ne, apo nga lexuesit e librit, kanë takuar e takojnë (e ndajnë shqetësimet), me njerëz që përballen me problemin e kësaj patologjie qoftë në rrethin e gjerë familjar, qoftë me rrethin shoqëror (fqinjë, shokë, në bashkësinë e punës, kudo). Pra, autori i shmanget “akademizmit” të ftoftë që mund ta shprehte problemin në fjalë në mënyrë të thatë - “akademike” se kanceri i gjirit është një prej sëmundjeve problematike të mjekësisë së sotme. Duke e shprehur këtë të vërtetë mjekësore në një mënyrë më të prekshme, më të ndijshme shoqërisht, e bën atë shumëfish më akademike, më problemore, por edhe gjithëpërfshirëse. Këtë e arrin nëpërmjet thjeshtësisë së paraqitjes së problemit, të kujtesës që i bën çdo njeriu, lexues, mjek, apo njeri që i përket tjetër profesioni, se ky problem ka dalë jashtë caqeve të mjekësisë e është shndërruar në një problem sa mjekësor aq dhe njerëzor, shoqëror.

Dhe ja ku qëndrojnë vlerat e dobia e mënyrës njerëzore të deklarimit të të vërtetave shkencore, akademike, mjekësore, epidemiologjike, e klinike-terapeutike: të rikujton (më saktë rizgjon) një të vërtetë që e përjetojnë një numër shumë i madh njerëzish.
Tek shumica e grave (e përgjithësisht e njerëzve), sëmundja e kancerit të gjirit me “përfundimin” e saj, nuk lë mbrapa vetëm dhimbje për humbjen e të afërmit të tyre, por lë sidomos te gratë dhe dyshimin shëndet - gërryes për fatalitetin (paralizues) të sëmundjes. Rrjedhojë e dyshimit është brenga e vazhdueshme e këto së bashku fokusohen tek pasojat negative në shëndetin e tyre që janë më shumë psikogjene se sa kancerogjene.
Shumë pyetje lindin në trurin e këtyre të sëmurave (në “ethën” e sëmundjes) dhe këto pyetje marrin padrejtësisht – edhe veprime të pamerituara, të dëmshme, vetëvrasëse (kamikaze) që i “mbyllin” këto të sëmura në vetvete (në panikun e tyre çarmatosës e fatal).

Libri ka një përparësi që përçon në rreshtat e veta, domethënë në informacionin që u jep lexuesve atë çka është mazi i tij: me të renë, në bashkëkohoren dhe këtë të shprehur në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë. Si i tillë, ky libër nuk shndërrohet në një transmetues të thjeshtë dijesh por në një mësues/pedagog që të mëson, të sqaron e të shndërron në një mjek të vetvetes apo të njerëzve të tu. Ai të ngroh në besimin se mund të arrihet shumë në rast se vepron shpejt në kohë, sipas motos “kurrë nuk është vonë” edhe në rastet e rënda e të braktisura. Edhe në të tilla raste fatkeqe ai përçon frymën e luftëtarit apo luftëtares konsekuente që duhet të luftojë deri në fund duke u bërë ndihmën e mjekëve specialistë.
Libri rrit kulturën shëndetësore të grave dhe kur shprehen “pa marrë parasysh moshën e tyre” do të thotë si ai nëpërmjet kësaj kulture t’i bëjë sidomos femrat të vetëdijshme, që nga afrimi i moshës së pjekurisë e deri në moshën e tretë. Dhe këtë e bën  në një mënyrë shumë didaktike. Ky doracak në radhë të parë i vajzave e grave shqiptare jep mesazhe ku mpleksen:

  • domosdoshmëria e rritjes së kulturës shëndetësore në kuadrin po aq të domosdoshëm të rritjes së kulturës së përgjithshme
  • rrënjosja e mendimit se për shëndetin nuk duhet menduar vetëm kur e humbet atë, por gjatë gjithë jetës për ta forcuar atë, shëndetin, por edhe kur sëmundja ta prek shëndetin, të mos dorëzohesh por të luftosh me të gjitha forcat e shpirtit, të mendjes e të trupit, krahas dhe bashkë me mjekët.


Në këtë drejtim, libri lëshon si paralajmërim prej urtësisë njerëzore të shqiptarëve, të rrënjosur prej kohësh tek ta, sipas së cilës “Nuk është gjëja më e keqe e më e tmerrshme zbulimi i ndryshimeve por injorimi i tyre dhe më keq pajtimi me fatalitetin, dorëzimi shpirtëror, mendor e fizik para së keqes”. Me një kohë që gruaja falë arritjeve të mëdha e të vazhdueshme të mjekësisë bashkëkohore mund të bëjë gjithçka të mundshme në çdo etapë të sëmundjes, madje edhe në etapa të avancuara. Çdo grua duhet të bëhet luftëtare këmbëngulëse dhe e vetëdijshme për shëndetin e vet, kundër sëmundjes, duke shmangur panikun, fatalizmin.

Në këtë drejtim libri “merr” më shumë përgjegjësi, sa njerëzore e intelektuale - për të luftuar padijen, aq edhe profesionale mjekësore - për të luftuar në mënyrë të suksesshme sëmundjen, por tashmë bashkërisht, mjekë dhe të sëmura. Ai shndërrohet në një burim informacioni dhe udhërrëfyes të specializuar jo vetëm për të sëmurat, por edhe për studentët e mjekësisë, për mjekët e rinj e deri te mjekët specialistë jo të fushës së gjinekologjisë onkologjike. Me pak fjalë përgjithësuese, libri “Sëmundjet e gjirit” i drejtohet të gjithë opinionit publik jashtë fushës së gjinekologjisë onkologjike që të jenë syçelët, si për çdo anë të shëndetit të tyre, edhe për shëndetin e femrës (vajzës, gruas, nënës, gjyshes) në drejtim të një patologjie problemore siç janë sëmundjet e gjirit, në përgjithësi, dhe kanceri i gjirit, në veçanti.
Të 10 kapitujt e librit kanë renditjen logjike shëndetësore/mjekësore me një përmbajtje shkencore të paraqitur në mënyrë të kuptueshme dhe cilësisht të lartë.

Në kapitullin e parë për historikun e njohjes dhe të trajtimit të sëmundjeve të gjirit, dr. Selamiu informon se njohja e trajtimi i tyre e kanë origjinën qysh në lashtësi dhe deri tek arritjet e mëdha e gjithmonë në zgjerim, thellim e pasurim me metoda të reja diagnostike e shëruese bashkëkohore.
Kapitulli i dytë është më i vështiri, por autori ka arritur t’i kapërcejë vështirësitë e përshkrimit anatomik të gjirit duke dhënë disa njohuri e aksioma anatomo-funksionale të pjesëve përbërëse të gjirit d.m.th. duke e “ngrohur” ftohtësirën e anatomisë me të dhënat e fiziologjinë të gjirit. Fillimi i këtij kapitulli në përkufizimin e gjirit si pjesë ndihmëse e aparatit gjenital të femrës, domethënë që bën pjesë në organet riprodhuese dhe që do të sigurojë ushqimin e foshnjës me të vetmin ushqim natyror për deri 12 muajt e parë të jetës. Anatomia e fiziologjia e gjirit, e paraqitur në tërë kompleksitetin e tyre që nga origjina e mandej zhvillimi ndërtimor-funksional në barkun e nënës e mbas lindjes e deri në moshën 19 vjeç kur gjiri arrin madhësinë normale dhe është “gati” në rast shtatzënie e lindjeje të një njomëzaku të ri të kryejë edhe detyrat e veta, pa lënë në harresë edhe faktin se gjëndra qumështi kanë edhe vajzat e reja para pubertetit edhe djemtë e meshkujt e rritur. Autori ndalet mandej në një përshkrim shumë logjik të pjesëve përbërëse të gjirit: thimthat, indit dhjamor, indit gjëndëror e më tej furnizimit të gjirit me gjak dhe të “drenazhimit” limfatik, njohja e të cilave ka rëndësi për të kuptuar rrugët e përhapjes së kancerit të gjirit (sipërfaqësor e të thellë). Këtu ai ndalet më hollësisht në përshkrimin e rrugëve limfatike, të përmbledhjes së tyre në “koleksione indore”, me madhësi të ndryshme që janë nyjat limfatike. Çdo lexuese e përfytyron qartë, edhe nëpërmjet figurave të shumta dhe të kuptueshme rrugën e limfës drejt enëve limfatike të sqetullës, të nën-klavikulës, të mediastinit dhe nën-diafragmës. Ato janë edhe pengesat e metastazimit të kancerit të gjirit që kur “mposhten” prej qelizave metastatike kushtëzojnë përhapjen e kësaj patologjie.
Pasi lexuesi “përvetëson” e njeh ndërtimin dhe funksionin e gjirit, njihet me sëmundjen e gjirit si pjesë përbërëse e aparatit gjenital të gruas.
Kapitulli i tretë i librit “Sëmundjet e gjirit” është sfondi i domosdoshëm mbi të cilin mandej shpaloset patologjia e kacerit të gjirit. Autori në të vërtetë në librin e vet jep një pasqyrë të përgjithshme të sëmundjeve të gjirit ku mandej fokuson patologjinë malinje të kancerit. Dr. Selamiu ndalet jo shumë hollësisht në të gjitha sëmundjet që prekin gjirin, por ama ndalet shumë qartësisht në thelbin e tyre dhe në përmasat reale të sotme të kërcënimit të tyre për shëndetin e gruas. Njëkohësisht ai i jep materialin bazë çdo femre që, duke u bërë “mjeke e vetvetes”, të jetë e para që do të gjykojë edhe diagnozën diferenciale të sëmundjeve, duke u bazuar në atë kulturë shëndetësore që ka secila lexuese. Menjëherë pas kësaj, e pajisur me njohuritë themelore të patologjive të gjirit e me veçanti dalluese etiologjike e patogjenetike të sëmundjeve t’i drejtohet mjekut specialist që të sqarojë gjithçka, por tashmë në rolin e një bashkëpunëtoreje aktive të tij si specialist. Natyrisht, lexuesja në momente të tilla, e ka mposhtur panikun, e ka minimizuar frikën, e ka forcuar besimin te fuqia (gjithmonë në rritje) e shkencës mjekësore dhe i ka rritur edhe shpresat, edhe bindjes se së bashku me mjekët specialistë, do ta luftojnë sëmundjen me të gjitha mundësitë e mjetet që jep mjekësia bashkëkohore. Lexuesi tashmë e di mirë se gjiri mund të preket nga një numër jo i vogël sëmundjesh beninje jo tumorale dhe tumorale. Çdo lexues (vajzë apo grua, prind apo bashkëshort dhe i afërt, mik e shok), duke njohur thelbin e “tumorit” bën përpjekjen e parë për të dalluar tumorin beninj prej atij malinj dhe këtë mundësi ia jep dr. Selamiu nëpërmjet shpjegimit të thjeshtë e të qartë të veçorive të përbashkëta të tumoreve beninje:

  • ato ngelen brenda një zone të lokalizuar nuk përhapen e
  • shpesh nuk kërkojnë ndonjë lloj të trajtimit të veçantë.


Si edhe nëpërmjet dallimit e diferencimit të she­nja­ve/simptomave subjektive e objektive përfshirë edhe “simptomat laboratorike biokimike” e të ekzaminimeve të tjera.

Të gjitha këto, tashmë në një formë më të lartë, mbi një themel më të shëndoshë njohurish të përfituara edhe prej leximit të librit “Sëmundjet e gjirit” ia përsëritin lexuesit, por në një mënyrë edhe më konkrete mesazhin e autorit specialist:
“Njerëz, jini vigjilentë për shëndetin tuaj përfshi edhe shëndetin e gjirit”. Kujdesi garanton shëndet e shmang panikun, nxit forcat mbrojtëse dhe në rast sëmundjeje ndjek me vëmendje ecurinë e sëmundjes të ballafaquar me ecurinë e mjekimit të të gjitha kategorive (dietetikë, medikamentoz, etj.).
Pas kësaj parapërgatitjeje me kapitujt e parë, por që ka midis rreshtave objektin kryesor të librit  - kancerin e gjirit, vijnë kapitujt e tjerë (IV, V,VI, VII, VIII dhe IX). Ai që në fillim e njeh lexuesin me aksiomën mjekësore sipas së cilës të gjitha kanceret janë sëmundje të qelizave. Mbi këtë bazë, duke u mbështetur edhe në njohuritë qofshin ato edhe elementare biologjike të lexuesit, autori nën këndvështrimin patologjik-onkologjik e bind lexuesin se njohja e mirë e “linjës normale” të jetës së çdo indi, organi, sistemi në trupin tonë, dhe e vetë jetës së organizmit në marrëdhëniet e tij me mjedisin rrethues (natyror e shoqëror) të bën të dallosh dhe të njohësh po aq mirë edhe shmangiet nga linja normale e jetës.
Natyrisht këto shmangie, këto çrregullime perceptohen në formën e shenjave jonormale patologjike që janë kryesisht simptomat klinike të çdo sëmundjeje. Dhe është plotësisht normale për lexuesin e për të gjithë që të thellohesh në evidentimin e sqarimin e “jonormales”, “të sëmurës”, patologjikes nëpërmjet ekzaminimeve nga më të ndryshmet që përcaktojnë çrregullimet në vetë burimin e tyre (në indin apo organin e sëmurë) dhe në rastin tonë konkret në gji e në sistemin gjenital femëror ku përmblidhet edhe gjiri. Autori shpjegon me një terminologji të shqipëruar etapat kryesore të kancerit për t’i sqaruar mbase shumicës së njerëzve se kanceri i gjirit është tumor malinj që lind nga qelizat e gjirit, por që nuk i përjashton as burrat.
Vlen të theksohet se pasuria e qartësia e shpjegimit me një tekst të larmishëm, të shqipëruar brenda maksimumit të mundësive për t’u bërë i kuptueshëm, shoqërohet edhe me një pasuri të madhe – të përzgjedhurit mjeshtërisht të figurave – skemave, që ngulisin në tru atë që paraqet pjesa e shkruar e librit.
Shumë e dobishme është dhe “epidemiologjia e kancerit të gjirit” që përforcon mbi një bazë konceptuale të kohës, të gjithë mendimin e kulturën shëndetësore të lexuesit, iu hap atyre një horizont të gjerë.
Një pjesë e vështirë është “Klasifikimi i kancerit të gjirit”, por edhe këtë vështirësi dr. Selamiu e ka kapërcyer me sukses, në bashkëbisedimin që ai bën me lexuesit nëpërmjet librit të vet. Këtë kapitull autori e sheh në mënyrë të shumanshme duke u ndalur edhe te treguesit e prognozës së Notingamit, te shenjat/simptomat e kancerit të gjirit dhe te lokalizimi i tyre.
Më tej (në kapitullin e V) ai e njeh lexuesin me faktorët e rrezikut relativ dhe në parandalimin e kancerit të gjirit, duke e vetëdijesuar lexuesin me aksiomën tjetër të mjekësisë që lidhet me kancerin e gjirit:
“Vërtet sot nuk dihet ende me saktësi shkaktari i kancerit të gjirit, por ama dihen mirë faktorë të caktuar të rrezikut që lidhen me këtë sëmundje, domethënë i faktorëve që i rrisin gjasat e njerëzve për t’u prekur nga sëmundja”.

Për mendimin tim, në radhë të parë si lexues i vëmendshëm i librit, vetëm kuptimi i qartë i kësaj të vërtete do të mjaftonte për ta shndërruar lexuesin (por edhe të sëmurin nga kanceri i gjirit) në një lexues të zellshëm të këtyre fakteve te vetja e vet, tek familjarët, tek rrethi shoqëror dhe mandej në një luftëtar këmbëngulës për shmangien e tyre.

Nga një pikëpamje libri i dr. Selamiut shërben (e duhet të shërbejë) edhe si një udhërrëfyes për studiuesit tanë për të kryer hulumtime shkencore, në terrenin tonë shqiptar për faktorët konkretë të rrezikut dhe për njohjen e opinionit publik me to. Arsyeja është e thjeshtë:
Shmangia e këtyre faktorëve, krahas zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, rrit shumë mundësinë e suksesit të mjekimit. Duke njohur faktorët e rrezikut relativ mund të ndikohet në ndryshimin e mënyrës dhe të stilit të jetës, brenda të cilave aktualisht ka elemente, zakone, e të tjerë që duhen shmangur (përdorimi i alkoolit, përdorimi i duhanit, mbipesha, aktiviteti i paktë fizik, shprehitë në të ushqyer, gji-dhënia, etj.).

Këto anë dr. Selamiu i thekson kaq qartë dhe kaq mirë sa nuk ka nevojë për koment. Ai e ndjen si detyrim intelektual, profesional dhe njerëzor që të njohë lexuesit edhe me metodat kryesore të diagnostikimit të sëmundjeve të gjirit (kapitulli VI) për të kaluar mandej në detyrat e çdo femre për të qenë një mjeke e mirë e vetvetes duke përvetësuar e njëkohësisht duke tradicionalizuar të gjitha metodat e thjeshta në pamje të parë, por me vlera shumë të mëdha, të vetëkontrollimit të gjinjve.

Kapitulli që pason në libër “Mjekimi i kancerit të gjirit” e njeh lexuesin (dhe bën shumë mirë) jo aq  me metodat bashkëkohore kirurgjikale apo të kombinuara, por në radhë të parë me domethënien e tyre, për mjekim të suksesshëm.

Natyrisht autori nuk mund të linte jashtë vëmendjes edhe kancerin e gjirit tek meshkujt të cilit i kushton një kapitull të veçantë (kapitulli IX).
Pasi mbaron ana “profesionale”, diagnostike, terapeutike komplekse parandaluese e ndërthurur edhe me strategjitë e taktikat me të cilat punojnë sot ekipet mjekësore komplekse multidisiplinare, vjen krejt natyrshëm e lirshëm pjesa e fundit e librit, që përbën, si të thuash fillimin e një diskutimi mjek-specialist dhe njeri - i sëmurë apo popull që interesohet për shëndetin e vet.

Njerëzit diskutojnë, hamendësohen, dëgjojnë e hutohen ose tremben, paragjykojnë dhe pyesin duke i bërë thirrje kujtesës (përvojës) së tyre për këtë patologji. Por kjo bisedë tashmë bëhet pasi lexuesja (lexuesi në përgjithësi) ka fiksuar në trurin e vet materialin e pasur të librit të dr. Selamiut i cili ka shfrytëzuar më shumë se 150 burime të literaturës mjekësore. Por, ai mbi të gjitha ka shfrytëzuar përvojën e vet të pasur dhe që e pasuron çdo ditë.
Rifillimi i bisedimit, tani jo nëpërmjet rreshtave e kapitujve të librit, por mbi këtë nivel, të shqetësimeve, mëdyshjeve, kërkesave, rezultateve e përvojave të gjithsecilit lexues e njeri, garanton thellimin e vazhdueshëm të njohurive e të kulturës shëndetësore të njerëzve.

Pikërisht, dr. Selamiu bashkëbisedimin e tillë të deritanishëm, të copëzuar sipas çdo rasti, çdo të sëmuri, dhe të sintetizuar e paraqitur ashtu të thjeshtë në formën e librit që kemi në dorë. Por autori është i vetëdijshëm se një bashkëbisedim i tillë është domosdoshmërisht i nevojshëm që të vazhdohet. Ai vazhdon ta nxitë këtë bashkëbisedim duke i dhënë shumë alternativa e shtigje të reja apo të sintetizuara nga përvoja e deritanishme. Kështu ai bisedon në fillim për 10 paragjykimet më të rëndomta me të cilat ai “takohet” përditë dhe zakonisht dhe që janë shndërruar në një pjesë të rëndësishme të jetës së tij profesionale. Mbas kësaj, ai vazhdon me një sintezë të pyetjeve më të shpeshta e më të zakonshme që shqetësojnë njerëzit tanë të të gjitha kategorive, shkollave, profesioneve dhe dr. Selamiu iu përgjigjet atyre pyetjeve thjesht e qartë e me një argumentim bindës. Por autori e kupton fare mirë si bir i këtij populli ku është rritur e ku punon me përkushtim se pyetjet e njerëzve janë edhe të larmishme edhe konkrete që shprehin edhe shqetësimin, por edhe etje për dije, për dituri.

Dhe që njerëzit të mos “pengohen” prej terminologjisë, në dukje të rëndë e deri misterioze, ai u jep lexuesve edhe fjalorthin shpjegues të termave.
Dr. Selamiu njëkohësisht ka mbyllur një punë të vlefshme dhe vazhdon punën për ta konkretizuar si gjithmonë edhe në të ardhmen me vlerat e saj edhe profesionale-shkencore, edhe në vlerat intelektuale e njerëzore.

Tiranë-Prishtinë, 12-23 Prill 2009

 

 

 

Dr.sc. Selami Sylejmani

"SËMUNDJET E GJIRIT"

Boton:
Shtëpia Botuese “ORBIS” Prizren

Biblioteka:
“Mjekësia për të gjithë”

Për botuesin:
Tahir Hoxha

Redaktor shkencor:
Prof. dr. Gjergj Minga

Recensues:
Prof. dr. Ilir Gjylbegu
Prof. dr. Orion Gliozheni
Prof. dr. Rubena Moisiu


Lektor:
Prof. dr. Sadri Fetiu

Korrektor:
Musa Bushrani

Redaktor teknik:
Tahir Hoxha

Ballina dhe ilustrimet e kapitullit VII:
Arbnor Morina

Shtypi:
Ndërmarrja Grafike SIPRINT Prizren

Botimi është ndihmuar nga:
Kompania “ROCHE”, përfaqësia për Kosovë

ISBN: 978-9951-566-00-1
Formati: 13x20 cm
Faqe: 256
Teknika: Kolor i plotë
Çmimi në libraritë e Kosovës: 12

Bashkë me librin shpërndahet një DVD falas me 2 orë program shkencor dhe intervista të autorit.

 

Për momentin, librin mund ta gjeni te këto lokacione:

PRISHTINË

  • Libraria Universitare ARTINI, te Instituti Albanologjik

PRIZREN

  • NSH ORBIS, Saraçëve 49c, Lagja e Çoragës, pranë xhamisë
  • Libraria HEADWAY, pranë Hamamit, mbrapa PTK-së
  • Libraria SIPRINT, te Qafa e Kishës, Shatërvan
  • Libraria PENA, afër Gjimnazit, Terzimahallë
  • Libraria TUBA, Hipermarketi ABI Center
  • Libraria, Hipermarketi VIVA
  • Libraria ADOGRAF, përballë Kuvendit Komunal të ri
  • Libraria BAF, Qendra e Artizanateve, Bazhdarhane

Për të porositur, na kontaktoni në numrat:

+377 44 78 12 03
+386 49 20 56 77

ose na shkruani nga faqja e kontaktit duke klikuar këtu.

 


Përveç KosPay, së shpejti do të ofrohet mundësia e pagesës me karta krediti nëpërmes shërbimeve 2Checkout dhe PayPal.



Free template 'Colorfall' by [ Anch ] Gorsk.net Studio. Please, don't remove this hidden copyleft!